Filloi ndërtimi i murit mbrojtës në hyrje të fshatit Reçan

10.03.2018

Kushtet e volitshme atmosferike, mundësuan që të fillojë ndërtimi I murit mbajtës përskaj rrugës në hyrje të fshatit Reçan, ku si pasojë e reshjeve intensive erdhi deri te rrëshqitja e tokës dhe rrezikohej që të shembej rruga dhe të dëmtonte shtëpitë rreth rrugës.

Dje gjatë gjithë ditës, por edhe në orët e vona të natës, është punuar intensivisht në përgatitjen e terrenit, si dhe hapjen e rrugës alternative për në qytet, ndërsa sot ka filluar edhe ndërtimi i murit mbrojtës .

Pjesa e paasfaltuar e rrugës që çon prej fshatit deri në Gurëthyesen në magjistralen Gostivar-Kërçovë është zgjeruar dhe është niveluar, duke bërë të mundshëm qarkullimin e papenguar të automjeteve në dy kahe, që nënkupton se përderisa zgjasin punimet ndërtimore, do të mund të shërbejë si rrugë alternative për në qytet. Mirëpo, realizuesi i punimeve zotohet se do të bëjë ç’mos që megjithatë edhe rruga kryesore të jetë e qarkullueshme.

Megjithëse bëhet fjalë për një projekt realizimi i të cilit kërkon shumë punë dhe kohë, pritet që me angazhim maksimal, me punë intensive dhe me orar të zgjatur, punimet të përfundojnë Brenda katër-pesë ditëve.

Shërbimi për informim