Kryetari Taravari promovoi asfaltimin dhe zgjerimin e rrugës në fshatin Debresh të Gostivarit

06.08.2018

Kanë përfunduar punimet për zgjerimin dhe asfaltimin e një segmenti të rrugës kryesore në lagjen Drenica të fshatit Debresh të Gostivarit. Për të promovuar këtë investim, në vendngjarje doli sot kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Segmenti i cili u rikonstruktua ka një gjatësi prej rreth 200 metra dhe kishte gjerësi prej rreth 3 metrash, shtresë shumë të dëmtuar të asfaltit gjë që u shkaktonte telashe gjatë qarkullimit të makinave dhe këmbësorëve.

Shtresa e asfaltit të dëmtuar u mënjanua në të tërësi, ndërsa u vendos shtresë e re e asfaltit me gjerësi prej 4,2 metrash, gjerësi kjo e mjaftueshme për qarkullim me dy korsi.

Në këtë pjesë të rrugës gati se dyzet vjet nuk është intervenuar aspak. Në bisedë me banorët kuptova se janë të kënaqur prej trashësisë dhe cilësisë së asfaltit. Paraprakisht në këtë fshat realizuam ndërtimin e kanalizimit dhe ujësjellësit, ndërsa së shpejti do të shtrojmë me pllaka bekatoni disa rrugica. Praktikisht me këtë do të përmbyllim premtimet të cilat i kemi dhënë për këtë fshat për vitin e parë të mandatit” theksoi kryetari Arben Taravari.

Falënderime publike për punët e realizuara në fshatin e Debresh, shprehën këshilltari komunal Besim Memedi, si dhe Agron Beshiri – banor i lagjes.

Krahas asfaltimit të rrugës në lagjen Drenica, u bë edhe asfaltimi i sipërfaqes  planifikuar për parkim pranë xhamisë së re në këtë fshat. Në emër të xhematit dhe banorëve të fshatit Debresh, Komunës së Gostivarit dhe kryetarit Taravari iu falënderuan Amir Elezi – imam i xhamisë dhe Mustafa Osmani – banor i fshatit.

Kryetari Taravari, para medieve paralajmëroi se prej nesër fillon realizimi i projekteve kapitale në vlerë prej rreth 2 milion euro, siç është asfaltimi i rrugëve rreth e përqark SHF “Goce Dellçev”, asfaltimi i një rruge në fshatin Forinë në gjatësi prej 1.100 metra, kanalizimi në fshatin Banjicë dhe investime tjera kapitale.

Shërbimi për informim