Anëtarët e kryesisë së Shoqatës “Realiteti” kryetarit Taravari i ndanë mirënjohje për mbështetjen

13.11.2018

Anëtarët e Shoqatës së personave me shikim të dëmtuar “Realiteti” me seli në Gostivar, ishin sot për vizitë te kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që kryetarit Taravari t’ia përcjellin falënderimet e anëtarëve të kësaj shoqate, për mundësimin e pjesëmarrjes në Garat ndërkombëtare në Goalball që u mbajtën në Sarajevë.

Nga Shoqata Realiteti e informuan Taravarin për përfaqësimin e denjë të komunës së Gostivarit në garat ndërkombëtare, si e vetmja shoqatë nga Republika e Maqedonisë. Ata i ndanë Mirënjohje kryetarit Taravari dhe bashkëpunëtorës të tij Afërdita Hamza, AT Nasir Tours dhe Vlerim Isenit.

Kryetari Taravari i përgëzoi ata për pjesëmarrjen në garat e Goalball dhe u falënderuar për respektin e treguar përmes vizitës dhe ndarjes së Mirënjohjes. Ai i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës “Realiteti” se për ta si dhe për të gjithë personat me nevoja speciale, Komuna e Gostivarit do të jetë një derë e hapur dhe se mbështetja në të ardhmen do të jetë akoma më e fuqishme.

Shërbimi për informim