U shënua 23 Dhjetori, Dita e Komunës së Gostivarit Qytetar nderi u shpall pedagogu Hajrulla Volina

23.12.2019
Me një ceremoni rasti të mbajtur Sallën e madhe të Komunës së Gostivarit, u shënuar Dita e Komunës së Gostivarit, 23 Dhjetori i vitit 1996. Në prani të mysafirëve të shumtë, drejtuesve të institucioneve, atyre kulturorë dhe sportivë, deputetë, ish kryetarëve komunal, këshilltarëve dhe administratorëve komunal, si dhe qytetarëve të shumtë të Gostivarit, fillimisht fjalë mori kryetari i Komunal të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Ai me këtë rast sqaroi se dita e komunës si datë për ta shënuar ka ndryshuar, pasi për herë të parë para 23 viteve Gostivari fiton këtë territor si qytet dhe është bërë konstituimi i parë i këshillit komunal.

“Mirë se keni ardhur në këtë takim i cili përkujton rëndësinë e një dite të veçantë si kjo e sotmja, sepse sot është Dita e Komunës së Gostivarit. Si sot në vitin 1996 është përcaktuar kjo njësi territoriale e komunës sonë në shtetin që nuk kishte shumë që kishte lindur si një shpresë e re, por që fatkeqësisht errësoi dritat e shpresës dhe besimit në këtë shtet aq sa e ka katandisë popullin të jetojë me valixhe në kurriz në kërkim të një jete më të mirë, në kërkim të një shteti që i do. Gjithsesi, sot duhet t’i qëndrojmë besnik ngjarjes që ka ndodhur 23 vite më parë, respektivisht 23 Dhjetor 1996 ku shënohet konstituimi i Këshillit të parë komunal sipas ndarjes territoriale. Një Këshill i cili si atëherë edhe sot është mbushur me gra dhe burra të shkëlqyer të cilët sado aktorë të një drame politike, kanë arritur që në radhë të parë qytetin e tyre para partisë së tyre. Sigurisht që ka pasur edhe nga ata që kanë bërë të kundërtën, që si mjek i kuptoj, por si njeri dhe i biri i këtij vendi nuk jam dakord me ta. Fatmirësisht Gostivari ka ditur të rrisë dhe edukojë njerëz të mrekullueshëm dhe prandaj sot kemi çfarë festojmë. Data e kaluar e Komunës do të kishte kuptim vetëm nëse Gostivari do të kishte kufijtë territorial administrative të vitit 1991 bazuar në ndarjen territorial të vitit 1974. Sot është Dita e Komunës së Gostivarit, unë jam kryetar i Gostivarit, një qyteti me njerëz bujar por edhe një Komunë me të kaluar demokratike me shumë probleme dhe diskriminime të inskenuara nga pushteti qendrorë i proviniencave të ndryshme dhe politike. Gostivari është shembull shkollor në vendin tonë se decentralizimi politik dhe fiskal është proces që ka dështuar si pasojë të ndërhyrjes flagrante nga qeveria qendrore në marrjen e kompetencave lokale kur komuna udhëhiqet nga kryetar opozitar në të kaluarën dhe aktualisht në mandatin tim në sferën e arsimit dhe anashkalimit total në sferat tjera të kompetencave të përbashkëta me qeverinë”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Kryetari Taravari foli edhe për shpërnguljen e madhe, për të cilën drejtori akuza ndaj pushtetit qendrorë.

“Në situata të një krize të rëndë ekonomike dhe sociale kur shpërngulja është bërë problem kryesorë i shumicës së qytetarëve, mungesa e fondeve financiare lokale dhe mos-zbatimi i Ligjit për zhvillim të barabartë të rajoneve, imponojnë nevojën imediate për rritjen e financave lokale në dobi të komunave në nivel sikurse është në vendet e BE-së. Këto financa shtesë lokale për komunat do të investoheshin në barazinë ndër-etnike në arsim, shëndetësi dhe kulturë dhe me prioritet në ndihmën e bizneseve vendore dhe tërheqjen e investimeve të diasporës tonë, si parakusht për hapjen e vendeve të reja të punës dhe ndërprerjen e shpërnguljes massive të popullatës, në veçanti të gjeneratës së re”, deklaroi më tej kryetari Taravari.
Komuna e Gostivarit, tha më tej i pari i Gostivarit, ka pasur kryetarë të ndershëm por edhe të atillë që kanë keqpërdorur pozitën e tyre.
“Në të shkuarën e kësaj komune ka ditur të ketë edhe ndonjë kryetar i cili ka keqpërdorur pozicionin e tij, por ka pasur edhe kryetar të cilët kanë qenë shembull i sakrificës më sublime intelektuale dhe kombëtare, me të arritura menaxheriale që kanë tejkaluar kufijtë lokal dhe kanë qenë emra të përveçëm që paraqesin krenari dhe nderë për komunën tonë”, deklaroi kryetari Taravari.
Në press-konferencë për gazetarët kryetari Taravari ka folur edhe për pengesat nga ana e pushtetit qendror që i bëhen Gostivarit, por nënvizoi se edhe përskaj obstruksioneve, kjo udhëheqësi e Komunës, ka arritur suksese shumë të mëdha duke dalë edhe komuna e parë në nivel republikan për nga realizimi i buxhetit.
Me rastin e Ditës së Komunës, Komuna e Gostivarit ka dekoruar me mirënjohje nxënës e mësimdhënës për arsim dhe kontribuesit për kulturë. Mirënjohjet janë ndarë nga Përgjegjësja për Veprimtari Publike pranë Komunës së Gostivarit Aslian Snopçe dhe kryetari Taravari.
Për kontribut në sferën e kulturës mirënjohje iu nda Andi Ismailit, Liza Abdija, Burhan Ametit, Floranda Muharemit dhe SH.K.A “Jahi Hasani” nga Çegrani. Në arsim për kontributin e dhënë mirënjohje kishte për mësimdhënësin Selman Kalisi, i cili njëherit ka qenë mësuesi i parë i kryetarit Taravari, Grujo Tërpeskit, Bastri Risetmit dhe Hamdi Hasan. Për herë të parë në Gostivar u bë edhe zgjedhja e paraleleve më të suksesshme. Nga shkollat fillore vendin e parë e zuri paralelja 5-b nga shkolla fillore “Faik Konica” nga fshati Debresh, ndërsa te shkollat e mesme paralelja më e mirë u zgjodh paralelja e arkitekturës, viti i tretë pranë Shkollës së Mesme Teknike. Nxënësit më të mirë te shkollat e mesme u zgjodhën Fjolla Zendeli te paralelet me mësim në gjuhën shqipe, ato maqedonase Konstanca Bilbiloska dhe te ato turke Nusejba Hanxhi. Te shkollat fillore te paralelet me mësim në gjuhën shqipe vendin e parë e zuri Behra Beqiri, te ato maqedonase Ilina Dimitrieska. Paralelet turke nga shkollat fillore nuk kanë pasur garues. Mirënjohje për kontributin e dhënë u nda edhe për Restornatin “Vita Abi”, Shoqatën Humanitare “Dava”, e cila themeloi kuzhinë popullore për nevojtarët në Gostivar dhe Organizatën Jo-qeveritare “Iniciativa për Integrim Qytetarë”. Mirënjohje u ndanë edhe për punëtorët sportive, afirmuesit e sportit, klubet sportive dhe sportistët më të mirë. Ato i ndau karateisti, njëherit këshilltari komunal, Berat Jakupi me kryetarin Taravari.
Skuadra më e suksesshme sportive shkollore u zgjodh skuadra e basketbollit pranë shkollës fillore “Goce Dellçev” – Gostivar. Skuadra sportive më e suksesshme te femrat dhe te meshkujt u zgjodhën skuadrat e basketbollit. Sportistja më e mirë nga gjeneratat e reja u zgjodh karateistja Amina Abdurahmi, sportist i ri u zgjodh karateisti Doan Osmani. Sportistja më e suksesshme te të rriturit u zgjodh basketbollistja Monika Badisoka, ndërsa sportisti më i suksesshëm te të rriturit u zgjodh futbollisti Visar Musliu.
Pas ndarjes së mirënjohjeve, u shpallë edhe qytetari i nderit për vitin 2019 në Komunën e Gostivarit. Këtë epitet e fitoi pedagogu dhe doajeni i muzikës, Hajrulla Volina, të cilit iu dhurua çmimi më i lartë “Çelësi i qytetit të Gostivarit”. Biografinë e 80 vjeçarit Volina, e lexoi mbesa e ttij Jehona Alili.
Në fjalën e tij, laureati, pasi falënderoi për çmimin e ndarë “Qytetar nderi”, tha se për 60 vite ka shërbyer si pedagog dhe si muzikant në qytetin e Gostivarit.
“Sot jam 80 vjeç, prej të cilave 60 vjet i kam kaluar në arsim dhe kulturë. 80 vjet e kam pritur këtë ditë. Me prejardhje jam nga Struga, por 60 vite I bëra që jetojë në Gostivar dhe me krenari e them se jam nga ky qytet që më ka dhuruar shumë gjëra të bukura në jetën time. Faleminderit për nderin, respektin dhe vlerësimin. U jam mirënjohës të gjithëve”, u shpreh mes tjerash Hajrulla Volina.
Të pranishmit në sallë patën rastin të ndjekin nga afër edhe dokumentarin televiziv dedikuar investimeve të kryera gjatë këtij viti në territorin e Komunës së Gostivarit, me ç’rast u prezantuan më se 40 projekte të realizuara. Ndërkohë, pritja e mysafirëve është bërë me muzikë nga kori i shkollës fillore “Goce Dellçev” nën dirigjimin e arsimtarit të tyre, Bastri Ristemi.

Shërbimi për informim