Punëtorët e arsimit do t’i marrin pagat e nëntorit. Taravari në press: “Më vjen mirë që problemi u zgjidh me insistimin tim dhe me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve”

25.11.2017

Këshilltarët komunalë të Gostivarit, në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit, unanimisht morën vendim për ndryshim të shpërndarjes së buxhetit të Komunës ës Gostivarit, me çka mundësohet pagesa e rrogave të nëntorit për rreth 1000 punonjës në shkollat komunale ​​fillore dhe të mesme.

Për të pastruar të gjitha dilemat në lidhje me pengesat që çuan në vonesën e pagave dhe revoltit të mësimdhënësve, përmes një konference për shtyp u prononcua kryetari i komunës, Arben Taravari.

“Para një jave u konstituua Këshilli i Komunës së Gostivarit, 15 këshilltarët të cilët nuk janë pjesë e mazhorancës së re, sidomos këshilltarët nga koalicioni lokal në komunën e Gostivarit “Aleanca për Shqiptarët” dhe “Lëvizja Besa”, propozuan që të bëhen ndryshime në buxhet, por kjo u refuzua nga 16 këshilltarët tjerë. Ata bëjnë kështu gjatë gjithë kohës, çfarëdo që të propozohet ata e refuzojnë. Me iniciativën time dhe me insistimin tim, u konvokua seancë e jashtëzakonshme, sepse kushti u përmbush me faktin se rrezikohen pagat e 1000 punonjësve. Sot, u votua që të bëhen ndryshime në buxhet. Jam shumë i lumtur që kjo ndodhi me insistimit tim, por edhe me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve të pranishëm, unanimisht”, potencoi kryetari Taravari.

Por, tha kryetari, paraqitet një problem i ri. “Kjo shumicë përpiqet të bllokojë vazhdimisht. Sipas ligjit, unë jam i detyruar që të sjellë buxhetin komunal për vitin 2018 deri më 31 dhjetor. Ky buxhet është përgatitur nga profesionistët e Komunës së Gostivarit dhe u është dorëzuar këshilltarëve brenda afatit ligjor. Buxhetin e propozova unë si kryetar komune dhe kërkova që ta diskutojmë atë, të paktën për t’u përfshirë si pikë e rendit të ditës në seancën e Këshillit, por ajo u refuzua nga shumica. Kjo mund ta frenojë punën. Ndërsa, a do të ketë pasoja nga kjo? Do të përpiqem si kryetar, do të flas edhe me Ministrinë e Financave që të financohemi përkohësisht në 3-4 muajt e parë të vitit të ardhshëm. Por do të doja të ju informoj se mbarëvajtja e punëve në komunën e Gostivarit praktikisht frenohet prej 16 këshilltarëve nga radhët e BDI, LSDM, poartisë së Vesel Memedit dhe këshilltar të DSR-së Kashmir Saliu”, tha kryetari i komunës.

Ai shpjegoi se, ata kanë disa kërkesa të çuditshme. “Ata kërkojnë të punësojnë ushtarë partiakë në arsim. Unë nuk do ta lejoj këtë, sepse kam thënë se për sa kohë që unë do të jem kryetari i komunës, nuk do të lejoj që arsimi të politizohet. Gjëja e dytë është që ata kërkojnë të marrin paga personat që nuk vijnë aspak në punë. U shpjegova atyre se ka kaluar koha kur punonjësit që rrinin në shtëpi merrnin rrogë. Ata arsyetoheshin me faktin se kjo ashtu ka qenë. Por, nuk do të mund të lejohet më. Për këto gjëra unë nuk ka se pse bisedoj me ta”, ishte decid kryetari i komunës.

Lidhur me akuzat e këshilltarëve të shumicës se administrata komunale është e paaftë dhe nuk punon, kryetari shpjegoi se administrata është e hapur dhe më transparente se gjithmonë. “Unë dhe kabineti im punojmë edhe në fundjavë. Nuk ka pasur të shtunë apo të dielë të mos punojmë në komunë dhe të mos kryejmë ndonjë punë. Ne jemi të gatshëm të punojmë ditë e natë dhe administrata do të kryejë detyrat e saj për të cilat merr rrogë”, shpjegoi Taravari.

Në pyetjen gazetareske se cilat do mund të ishin pasojat e mosmiratimit të buxhetit, kryetari i komunës me përgjigjen:

“Në qoftë se nuk vihet as si pikë e rendit të ditës në afatin kohor të përcaktuar ligjërisht, ndërsa propozimi për buxhetin është dorëzuar në kohën e duhur, unë si kryetar komune jam i detyruar ta informoj Ministrinë e Financave dhe të kërkoj financim të përkohshëm në lartësi prej një të tretat e buxhetit për vitin 2017, siç është përcaktuar me ligj. Do të presim deri të premten, të paktën të vihet në rend dite. Pastaj do ta shqyrtojmë mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve lokale, nëse buxheti nuk kalon. Sepse kjo është një nga mundësitë për shpërndarjen e këshillit, nga shkaku se në një rast të tillë nuk mundemi as të funksionojmë si komunë”.

Shërbimi për informim