Të gjitha abuzimet në Komunën e Gostivarit, denoncohen në organet kompetente

29.03.2018

Zëdhënësi i komunës së Gostivarit, Jasin Demiri, në pres-konferencën e sotme njoftoi se fushata “E vërteta për BDI-në” ndërpritet jo sepse nuk ka dëshmi të reja për keqpërdorime, por për tu lënë hapësirë organeve kompetente të veprojnë në përputhje me shkeljet e konstatuara.

“Të gjitha shkeljet dhe abuzimet të cilat i kemi konstatuar gjatë kontrolleve të brendshme, respektivisht për të gjitha rastet ku ekzistojnë dyshime të bazuara për kundërvajtje apo vepër të kryer penale, i kemi denoncuar para organeve kompetente: Ministrinë e Punëve të Brendshme – Policinë financiare, Prokurorinë Publike”, theskoi Demiri.
Ai tha se krahas asaj që Komuan e Gostiavrit ka kërkuar kontroll nga revizioni shtetëror, është kërkuar që edhe Inspektorati i punës dhe Inspektorati shtetëror i arsimit të bëjnë kontrolle të jashtëzakonshme me qëllim që e vërteta të dalë në shesh dhe për çdo keqpërdorim të kërkohet përgjegjësi.

“Komuna e Gostivarit do të vazhdojë me kontrolle të brendshme për punën e udhëheqësisë komunale në mandatet e shkuara, duke mos anashkaluar edhe punën e administratës komunale në këtë mandat. Pra, askush nuk do të mund t’i ikë përgjegjësisë për shkak se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Nuk ekziston njeriu për shtetin, por shteti ekziston për njeriun”, theksoi zëdhënësi i komunës.

Demiri shprehu bindjen që sistemi gjyqësor në Republikën e Maqedonisë sa më shpejtë të reformohet dhe të gjithë shkelësit e ligjeve dhe kriminelët, të marrin dënimin e merituar.

Shërbimi për informim