Në Gostivar shënohet 9 Maji – Dita e Evropës

09.04.2018

Ambasadorët e shteteve të Grupit të Vishegradit, edhe sivjet përzgjodhën Gostivarin për të shënuar 9 Majin – Ditën e Bashkimit Evropian. Fillimisht ambasadorët e tre nga katër shtete e Grupit të Vishegradit në Shkup, respektivisht ai i Çekisë – Miroslav Toman, i Polonisë – Jacek Multanovski dhe i Hungarisë Laslo Duks u pritën në kabinetin e tij nga Arben Tаravari ku biseduan për aktualitetet në komunë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekzistues.

Më pas, kryetari Taravari dhe tre ambasadorët morën pjesë në manifestimin e organizuar për shënimin e Ditës së Evropës, i cili filloi me intonimin e himnit të Bashkimit Evropian – Oda e Gëzimit interpretuar nga kori i SHF M.K. Ataturk – Gostivar, i pasuar me pika muzikore nga vendet e BE-së interpretuar nga nxënësit e Shkollës së ulët të muzikës “Enver Stafai” – Gostivar.

Kryetari Taravari në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi ambasadorët e Grupit të Vishegradit që rregullisht përzgjedhin Gostivarin për të shënuar ditën më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, si dhe përgëzoi nxënësit për programin e bukur të përgatitur enkas për këtë ditë, për të nderuar mysafirët.

Të pranishmëve, në emër të shteteve të Grupit të Vishegradit, iu drejtua edhe ambasadori hungarez Laslo Duks, i cili inkuadrimin e vendeve të Vishegradit në BE e prezantoi si një storje suksesi, duke uruar që sa më shpejtë edhe Maqedonia të bëhet pjesë e familjes së madhe Evropiane.

Me program të pasur kulturor-artistik u shfaqën edhe nxënësit e SHF “Goce Dellçev” të udhëhequr nga profesori i muzikës Basri Ristemi, të cilit për kontributin e dhënë kryetari Taravrai i dhuroi një kaskë për çiklizëm, hobi ky i preferuar i profesorit.

Në fund të manifestimit, ambasadorët e Grupit të Vishegradit të shoqëruar nga kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari dhe bashkëpunëtorët e tij, vizituan stendat e përgatitura nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit, ku u prezantuan vlerat e shteteve të BE-së dhe pjesë nga tradita e rajonit të Gostivarit, përfshirë këtu edhe ushqimet tradicionale me të cilat i gostitën ambasadorët.

Vlen të theksohet se i gjithë manifestimi kaloi në frymën e multikulturalizmit dhe bashkëjetesës, vlerë kjo specifike e qytetarëve të komunës së Gostivarit.

Shërbimi për informim