Formohet Këshill Lokal për Preventivë në Gostivar

25.06.2018

Në Komunën e Gostivarit, realizuan sot një takim të përbashkët kryetari i komunës, kryetari i Gjyqit Themelor, një përfaqësues i Prokurorisë Themelore dhe Komandanti i Stacionit të Policisë të Gostivarit.

Qëllimi i takimit ishte konstituimi i Këshillit Lokal Preventiv sipas rekomandimeve të OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, deklaroi për mediet se ky takim më shumë kishte qëllim informativ dhe konsultativ, ndërsa tash e tutje do të realizohen takime të rregullta me pika të definuara të rendit të ditës, që do të mbahen të hënave, në çdo dy javë.

“Vendosëm që të konstituojmë Këshillin Lokal për Preventivë me qëllim që të bashkëpunojmë dhe funksionojmë në interes të qytetarëve dhe ndaj problemeve të kemi qasje preventive. Sipas asaj që më informoi komandanti i stacionit policor, jemi qyteti i parë që ka themeluar një këshill të këtij lloji dhe shpresoj se do të jemi shembull pozitiv edhe për komunat tjera. Do të realizojmë takime të rregullta çdo dy javë, ditëve të hëna, ku do të kemi pika të caktuara në rend dite dhe do ta njoftojmë edhe publikun me problemet me të cilat ballafaqohemi, si dhe vendimet dhe aktivitetet që do të ndërmerren”, deklaroi Taravari pas takimit.

Komuna e Gostivarit shpreh gatishmëri për çdo lloj bashkëpunimi ndër-sektorial dhe ndërinstitucional, me qëllim që proceset të ecin para dhe dobi nga to të kenë të gjithë qytetarët, sidomos në aspektin e sigurisë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, apo bindjeve politike.

Shërbimi për informim