Ndërtimi i parqeve në vendbanimet rurale të Gostivarit, nisi nga fshati Raven

05.11.2019

Ndërmarrja Publike Komunale “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, është duke ndërtuar një park në fshatin Raven, ndërsa nga kjo ndërmarrje njoftojnë se parqe të këtilla do të ndërtohen edhe në vendbanimet tjera rurale të komunës së Gostivarit, respektivisht atje ku ka kushte për një ndërhyrje të këtillë.

“Në kuadër të përpjekjeve të udhëheqësisë së re komunale në krye me kryetarin Arben Taravari, ne si ndërmarrje publike e pamë të arsyeshme që pas zgjerimit të sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe rregullimin horitukulturor të oborreve të shumicës së shkollave komunale, të vazhdojmë me ndërtimin e parqeve në vendbanimet rurale. Filluam me fshatin Raven ku në përputhje me kërkesat e banorëve lokalë, caktuam një lokacion të përshtatshëm”, thekson drejtori Bekim Çelebiu.

Parku i ri në fshatin Raven kap një sipërfaqe të përgjithshme prej 2000 metër katrorë, ku është bërë rrafshimi i sipërfaqes, është instaluar sistemi për ujitje me tajmer, është bërë mbjellja e barit, druve dhe fidanëve dekorativë dhe luleve të stinës, si dhe janë vendosur gurë dekorativë me ngjyra të ndryshme.

Vlera e projektit kap shifrën rreth 300 mijë denarë mjete këto të siguruara nga vetë ndërmarrja.

Me realizim e parqeve nëpër fshatra, synohet krijimi i kushteve të barabarta si për banorët e qytetit ashtu edhe për ata që jetojnë në vendbanimet rurale.

Shërbimi për informim